background

Brochure.pdf >>

Rreth Departamentit

Departamenti i Arkitekturës është një nga departamentet e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Universitetit Marin Barleti.
Filozofia e Departamentit bazohet mbi një Vizion dhe Mision të konsoliduar dhe efikas për përgatitjen e gjeneratave të ardhshme të arkitektëve, ndërtuesve dhe urbanistëve bashkëkohorë.
Vizioni i Departamentit niset nga analiza e specifikave profesionale, kërkesave të tregut dhe mundësive për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezultatet e kësaj analize udhëheqin misionin dhe vizionin e Departamentit nëpërmjet një edukimi të lartë të integruar dhe multi-disiplinor. Formimi i një arkitekti duhet të përfshijë aftësitë profesionale dhe teknike për të ndjekur në tërësi procesin ndërtimor të një objekti në çdo shkallë. Gjithashtu njohja e kontekstit ku ai operon dhe ku integrohet vepra e tij përbën shtyllën kurrizore të formimit bazë. Arkitektit, gjatë formimit bazë, duhet ti jepen të gjitha mjetet për të lexuar në mënyrë kritike dhe efikase realitetin kaotik në të cilin jetojmë. Kjo përkon me njohuri të përgjithshme dhe specifike për të gjithë komponentët e kontekstit real nga trashëgimia kulturore-historike, mjedisi natyror, psikologjik dhe social. Këto njohuri së bashku me kompetencat teknike në fushën e ndërtimit do të mundësojnë punën e arkitektit në sferën profesionale dhe publike. UMB, përmes strukturës akademike të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara dhe Arteve dhe konkretisht Departamentit të Arkitekturës, krijon një ambient të integruar dhe të plotë për formimin e arkitektëve të ardhshëm. Ata do të marrin një formim të integruar midis disiplinave teknike dhe specifike të sektorit të ndërtimeve, por dhe sektorëve që ndërthuren me ambientin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit urban.

Objektiva

  • Arkitekti integral
    Universiteti Marin Barleti synon të formojë figura profesionale të kompletuara me një spektër veprimi 360° në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit. Studenti përgatitet të jetë një arkitekt integral përmes një formimi multi - disiplinor, me shumë shkallë dhe strukturim të integruar akademik, operativ dhe vizion kritik.
    Arkitekti integral i diplomuar në UMB do të jetë projektues i të gjitha shkallëve. Do të njohë projektimin e detajuar të interierit si dhe strukturat komplekse të rrjeteve industriale dhe infrastrukturore.
    Objektivi kryesor i UMB-s është përgatitja e një figure profesionale, e aftë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të shoqërisë bashkëkohore. Figura e arkitektit është shprehje kulture dhe teknike, që formohet përmes një arsimi tradicional me metoda të përditësuara dhe ndërkombëtarizuara.
    Formimi i një arkitekti integral konkretizohet nga UMB në sajë të strukturës akademike ekzistuese, e cila është një realitet akademik i konsoliduar dhe serioz që përfshin pothuajse të gjitha fushat e studimeve universitare, me katër Fakultete dhe një tërësi Departamentesh.
    Departamenti i Arkitekturës, nën Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve, do të krijojë një rrjet sinergjie me Fakultet e tjera të UMB (Shkenca Sociale, Shkenca Politike, Ekonomi- Biznes, Turizëm etj.) për ti garantuar studentit një përgatitje multi-disiplinore.
    Ambienti poliedrik i kampusit do ti sigurojë studentit aftësitë për të njohur të gjitha aspektet e kontekstit real. Ai do të pajiset me njohuri të përgjithshme por dhe specifike në të gjitha fushat komplementare të arkitekturës.
  • Arsim tradicional
    Arsimi tradicional i një arkitekti garanton një përgatitje solide teorike në fushat specifike por dhe në ato komplementare të arkitekturës. Një bazë e fortë teorike, e asimiluar gjatë arsimit të lartë, garanton vlerësim kritik, kujdes dhe promovim të kontekstit dhe ambientit urban, natyror dhe human. Gjithashtu një bazë e fortë teorike ndihmon në konsolidimin e një filozofie arkitektonike personale dhe në një produkt ndërtimor cilësor dhe jo thjesht stilistik.
    Arsimi tradicional me baza të forta teorike dhe teknike, i garantuar nga arsimi publik, është asimiluar dhe konkretizuar nga UMB nëpërmjet stafit akademik vendas, i cili realizon në mënyrë optimale mësimdhënien tradicionale në kushtet dhe infrastrukturën e UMB-s.
  • Përditësimi i arsimit tradicional
    Ndërkohë platforma e UMB-s garanton një përditësim të arsimit tradicional në ato faktorë të paarritshëm nga arsimi tradicional, si praktika dhe stazhi, të kryera në terren. Këto aktivitete nuk do të jenë pjesë me zgjedhje, por baza themeluese e formimit të studentit. Ato do të garantohen nga Qendra Studimore e UMB-s “Adriapoli”, e cila është pjesë integruese e sistemit akademik. Kjo Qendër do të angazhojë studentët në projekte konkrete, duke u mundësuar kontaktin me institucione të tjera publike ose private dhe funksionin e tyre në tregun e punës. Qendra e studimit do t’i mundësojë Departamentit specialistët dhe teknikët më të aftë në treg për të ofruar tematika specifike kyçe në formimin e studentit, si legjislacioni ose vlerësimi. Përditësimi i arsimit tradicional synon t’i ofrojë studentit disa aftësi të domosdoshme për praktikën profesionale, por që shpesh anashkalohen. Në radhë të parë, ndeshja me realitetin ndërtimor dhe me kantierin nuk duhet neglizhuar dhe deleguar pas studimeve universitare. Jo vetëm disiplina legjislative dhe normative, por edhe zhvillimi i praktikave të ndryshme në prezantimin e projektit duhet të jenë pjesë e programeve arsimore universitare. Gjithashtu menaxhimi i marrëdhënies me klientin apo detyrimet ligjore të arkitektit janë nocione bazike, të cilat studenti duhet t’i përvetësojë gjatë studimeve për të qenë sa më i ndërgjegjshëm dhe i aftë në veprimtarinë profesionale.

TEL: +355 69 20 67 247

E-MAIL: architect.coord@umb.edu.al

ADRESA: Rr."Frang Bardhi", Tiranë